
Më 11 mars Ambasadori Kastriot Robo zhvilloi një vizitë pranë Agjencisë Shtetërore Turke të Banimit – TOKI, ku u prit nga Kryetari saj, Ömer Bulut.
Biseda e këtij takimi u përqëndrua në ndërtimin e 500 njësive të banimit, projekt të cilin Turqia do ta realizojë nëpërmjet organizmit të TOKI-t, me udhëzim të presidentit Recep Tayyip Erdoğan pas tërmetit shkatërrues që goditi vendintonë më 26 nëntor të vitit të kaluar.
Z. Bulut e cilësoi këtë projekt, si një projekt ndihme dhe vëllazërie me qëllim që njerëzit që humbën shtëpitë të kthehen në shtëpi edhe më të mira sesa ato që humbën.
Kryetari gjithashtu njoftoi Ambasadorin shqiptar se Master-plani i projektit është gati për t’u zbatuar në Laç, dhe brenda këtij muaji autoritetet turke do të vijnë në Shqipëri për procedurat burokratike. Pas përfundimit të procedurave, do të fillohet me ndërtimin në fund të muajit mars.
Z. Bulut vuri në dukje se megjithë angazhimet e tyre për tejkalimin e pasajove të tërmetit të Elazığ, ku tashmë kanë filluar ndërtimet masive të banesave, ata janë të gatshëm dhe të përgatitur për të nisur menjëherë proçesin e ndërtimit në Shqipëri.
Në fund u ra dakord që të vijojë komunikimi dhe koordinimi me Ambasadën për një ecuri sa më optimale të projektit.