
Projektet e përbashkëta Turqi-Shqiperi vazhdojnë me sukses. Me 9 korrik në Stamboll Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Erdogan trajtuan çështje të ndryshme si: burime natyrore, aeroporti i Vlorës dhe organizimi më i përshtatshëm i nje linje ajrore shqiptare, me asistence profesionale te linjës Turkish Airlines.
Ne vijim, Kryeministri Rama mori pjesë në Kongresin Botëror të Naftës që zhvilloi punimet në Stamboll. Ai deklaroi se Shqipëria mund të jetë fronti i ardhshëm i naftës, falë rezervave të mëdha nëntokësore të pashfrytëzuara dhe pozicionit të saj strategjik mes Lindjes dhe Perëndimit.
“Ky është momenti më i mirë për të investuar në industrinë e gazit në Shqipëri”, deklaroi kryeministri Edi Rama para drejtuesve të nivelit të lartë nga kompanitë lider në fushën e energjisë, gjatë punimeve të Kongresit Botëror të Naftës që nisi punimet këtë të hënë në Stamboll, Turqi.
Kryeministri Edi Rama shprehu besimin se Shqipëria mund të bëhet një front i ri i naftës. “Besoj vërtet se kemi çdo mundësi për t’a bërë këtë. Kemi një strategji të qartë, e ç’ka është më e rëndësishme, shumë rezerva gazi e nafte. Por për të arritur këtë na duhet të punojmë së bashku. Kjo është arsyeja se pse i jam mirënjohës presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan për mbështetjen e tij dhe bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë turke”, deklaroi Rama.
Ne, vijoi kryeministri, kemi arritur të kuptojmë se jo vetëm duhet të forcojmë përpjekjet për më shumë efikasitet e diversifikim, por po ashtu, se duhet të veprojmë të gjithë së bashku.
Kësisoj , theksoi ai, bashkëpunimi qeveritar me shoqëritë tregtare të sektorit privat të interesuara të kryejnë biznes në Shqipëri është shumë i rëndësishëm për të siguruar një rritje të qëndrueshme e të vijueshme të sektorit të naftës.
“Qeveria jonë e konsideron sektorin energjitik si sektor strategjik dhe fokusi kryesor është rritja e furnizimit për konsumatorin shqiptar dhe vijimi i përparimit drejt integrimit të tregut energjitik shqiptar në tregun rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe më tej, në tregun europian”, u shpreh kreu i qeverisë, Rama.
Industria e naftës, si një pjesë kryesore e sektorit energjitik në Shqipëri, tha ai, është shumë e rëndësishëm për shkak të një sërë faktorësh dhe është me shumë rëndësi fakti se Shqipëria gjendet në rrugëkryqin midis lindjes e perëndimit si një urë e vërtetë.
Për shkak të vendndodhjes sonë gjeografike, sipas Kryeministrit Rama, Shqipëria do të gjendet përgjatë një prej itenerareve më të rëndësishme të botës, që është TAP që do të fillojë furnizimin me gaz nga rajoni i Kaspikut në zemër të Europës në 2019-ën.
Ai shprehu besimin se kemi arritur mjaft me synimin e krijimit të një axhende të mirëfilltë të zhvillimit të sektorit energjitik, të sigurisë energjitike e bashkëpunimit europian për të pasur një portofol më divers e më të larmishëm të paketës energjitike.
Sipas kryeministrit Rama, ky është momenti më i mirë për të investuar në industrinë e gazit në Shqipëri. “Duhet të rrimë përkrah njëri-tjetrit dhe të planifikojmë një të ardhme më të mirë për popujt tanë dhe për shumë prej kompanive të pranishme këtu”, tha kryeministri Rama.
Deri në datën 13 korrik, krerë shtetesh, drejtues të nivelit të lartë nga kompanitë lider në fushën e energjisë dhe më shumë se 50 ministra të energjisë janë pjesë e këtij kongresi, tema e të cilit është “Ura për të Ardhmen e Energjisë tonë”.