
Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, znj. Luela Hajdaraga, e shoqëruar nga Oficerja Koordinuese për Diasporën, znj. Joneda Dodaj dhe Kryetari i shoqatës “Zëri i Emigrantit në Rodos”, z. Ari Kasapi, zhvilloi një takim zyrtar me Nënprefektin e Egjeut të Jugut, z. Christos Eustratiou dhe Këshilltarin e Prefektit për Çështjet e Turizmit, z. Konstantinos Chrysochoidis.
Në një bashkëbisedim miqësor dhe konstruktiv, palët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira shqiptaro-greke, si dhe konfirmuan angazhimin e përbashkët për forcimin e tyre në të ardhmen në fushat potenciale, si turizmi dhe kultura - dhe diskutuan mbi mundësinë e vendosjes së një linje fluturimi direkte Rodos-Tiranës.
Ambasadorja Hajdaraga përcolli falenderimet e saj për mbështetjen ndaj komunitetit shqiptar në Egjeun e Jugut, për trajtimin e mirë të çështjeve të rreth 20.000 shtetasve shqiptarë, lidhur me integrimin e tyre në shoqërinë vendase greke.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Prefekturës theksuan se komuniteti shqiptar është një komponent shumë i rëndesishëm i zhvillimit të ishullit Rodos dhe Rajonit të Dodekanezit dhe siguruan se do të vazhdojnë t'u gjenden pranë atyre në çdo nevojë.
Gjithashtu, Ambasadorja Hajdaraga shprehu mirënjohjen për mbështetjen e ofruar nga autoritetet e qeverisjes vendore, për të dytin vit radhazi, për realizimin me sukses të projektit “Ishujt 2022-Rodos”.