
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme, homologun e tij të Republikës Federale Gjermane Sigmar Gabriel.
Dy ministrat diskutuan mbi dinamikën e marrëdhënieve dypalëshe, sidomos në rrafshin ekonomik, evidentuan mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në procesin e integrimit të vendit tonë, si dhe shkëmbyen pikëpamje mbi situatën në rajon, rolin e Shqipërisë në këtë kontekst dhe përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë.
“Kishim një bashkëbisedim te frytshëm për një gamë të gjerë çështjesh për të cilat është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe ndërveprimi mes dy vendeve tona. Te gjithë jemi të ndërgjegjshëm për cilësinë dhe dinamikën e veçantë që kemi ndërtuar ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, çka vërtetohet jo thjesht nga shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin ekonomik, por para së gjithash mbi një dinamikë të re për sa i përket bashkëpunimit politik, vizitave dhe kontakteve të zhvilluara gjatë këtyre viteve. ” u shpreh Ministri Bushati.
Duke vlerësuar kontributin e vazhdueshëm të qeverisë gjermane në procesin e reformave transformuese në Shqipëri, Ministri Bushati theksoi se: “Ne emër te qeverisë shqiptare dëshiroj te falënderoj qeverinë gjermane për mbështetjen politike por edhe për financimin e projekteve te fushën e drejtësisë, të sundimit të së drejtës në ekonomi, si dhe ekspertizën e kualifikuar gjermane në këtë drejtim. Ndaj dëshiroj t’ju siguroj për vijimin përpara me të njëjtin vullnet për zbatimin e reformës në drejtësi, pasi e konsiderojmë atë si një gur te rëndësishëm në themelet e procesit të shtet-konsolidimit dhe të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Ministri Gabriel siguroi se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë, në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Duke theksuar rolin kyç të reformës së sistemit të drejtësisë për integrimin evropian të vendit, Ministri Gabriel u shpreh se “Reforma në drejtësi është tepër e rëndësishme dhe shteti ligjor garanton se në qendër të vëmendjes janë interesat e qytetarëve. Vetëm nëpërmjet zbatimit të plotë të saj qytetaret do të ndihen më të sigurt. Për ne është i paqartë bojkoti i parlamentit dhe pengimi i reformës në drejtësi. Shtet ligjor do të thotë që pakica të pranojë shumicën dhe të punojë për t’u shndërruar në shumicë nëpërmjet rrugëve ligjore dhe zgjedhjeve. Kjo është ajo që ne presim nga vendet që kërkojnë anëtarësim në BE. Prandaj nëse vazhdon bojkoti i parlamentit dhe pengimi i reformës në drejtësi, rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian do të jetë më e gjatë dhe jeta e qytetarëve shqiptarë më e vështirë”.
Duke bërë thirrje për të mos penguar reformën në drejtësi dhe integrimin evropian të vendit, Ministri Gabriel theksoi se “Ne të gjithë kemi mirëpritur miratimin me konsensus të plotë të ndryshimeve kushtetuese dhe tashmë shohim që kjo reformë po pengohet. Ajo qe kërkohet ne këtë moment është vënien e interesit kombëtar mbi interesat partiake dhe mbi interesat e elitave të caktuara ekonomike dhe politike që përpiqen të ndalojnë rrugën e vendit drejt BE-së”.
Bisedimet midis dy ministrave evidentuan gjithashtu se Shqipëria dhe Gjermania kanë të njëjtin lexim mbi situatën e brishtë të demokracive në rajonin tonë. Dy ministrat shkëmbyen pikëpamje mbi përparësitë e dy vendeve në kuadër të NATO-s, ndërhyrjet e aktorëve të tretë në rajon dhe nevojën për të ndërvepruar më shumë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Gjatë qëndrimit te tij në Tiranë, Ministri Gabriel pati dhe një takim të posaçëm me Kryeministrin Edi Rama.