
Me 17 tetor 2017 u zhvillua në Bruksel takimi i 9-të i Nën-Komitetit të Stabilizim-Asocimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian mbi tregun e brendshëm dhe konkurrencën përfshirë mbrojtjen e shëndetit dhe konsumatorit. Takimi u kryesua nga Znj. Kleopatra Maliqi, Zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Z. Georg Ziegler Zv. Shef i Njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë Evropiane dhe Negociatat për Zgjerimin në Komisionin Evropian.
Ky takim shqyrtoi zhvillimet më të rëndësishme që nga mbledhjet e mëparshme të nënkomiteteve dhe ishte një forum për të diskutuar zbatimin e MSA-së, si dhe përafrimin e legjislacionit të vendit me legjislacionin e BE-së (‘acquis’) në fushat e konkurrencës, të drejtat e pronësisë intelektuale e industriale, shërbimeve financiare, mbrojtjes së shëndetit dhe konsumatorit.
Komisioni theksoi rëndësinë e temave të diskutuara në takim, të cilat i shërbejnë Programit të Reformës Ekonomike të Shqipërisë dhe krijimit të Zonës Ekonomike Rajonale në Ballkanin Perëndimor, e cili u miratua në Samitin e Triestes më 12 korrik 2017.
Komisioni iu referua rekomandimeve të politikave në të gjitha fushat që mbulohen nga nënkomiteti sipas raportit të fundit të Shqipërisë. Ajo përshëndeti masat e ndërmarra nga vendi ynë, u bëri thirrje autoriteteve të vendit të vazhdojnë harmonizimin e legjislacionit në nivelet e ndryshme të qeverisjes me atë të BE-së.