Ministri Bushati merr pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë, Federica Mogherini dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Estonisë, Sven Mikser, mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së (Gymnich), që u zhvillua në Estoni.

Në këtë takim ishin të ftuar edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve kandidate. Diskutimet u përqendruan në sfidat e përbashkëta të sigurisë në Europë, veçanërisht në parandalimin dhe luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Ministri Bushati informoi mbi masat dhe arritjet e Shqipërisë në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe shprehu mbështetjen e vazhduar dhe linjëzimin e plotë të Shqipërisë me politikën e BE-së, për adresimin e sfidave të sigurisë.

Ministri ritheksoi faktin se nevojitet një prani e shtuar e BE-së në Ballkanin Perëndimor, në kuadrin e një partneriteti të përforcuar në përballjen me sfidat e përbashkëta.

Ministri Bushati nënvizoi se për parandalimin e përhapjes së ideologjisë ekstremiste, mbetet shumë i rëndësishëm zhvillimi ekonomik dhe ofrimi i mundësive të punësimit për të rinjtë. Në këtë kuadër, Ministri theksoi nevojën për të ngushtuar hendekun në zhvillimin ekonomik midis vendeve të BE-së dhe rajonit tonë, edhe përmes instrumenteve financiarë të procesit të zgjerimit të BE-së.

Gjatë qëndrimit në Tallinn, Bushati zhvilloi një takim dypalësh me Ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto. Ministri e informoi homologun hungarez, mbi ecurinë e procesit të reformave në Shqipëri dhe përgatitjet për formimin e qeverisë së re. 

Ministri Szijjarto, siguroi për mbështetjen e plotë të Hungarisë, për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Dy ministrat diskutuan rrugët për thellimin e shkëmbimeve ekonomike midis dy vendeve

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00