
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi aktivitetin “Trashëgimia kulturore shqiptare - një vlerë në rrugën evropiane. Rrugëtim kulturor në të shkuarën drejt së ardhmes së përbashkët”. Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetarit i Kuvendit, Gramoz Ruci, Kryeministri i vendit Edi Rama, Drejtor i Përgjithshëm për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, ambasadorë, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe përfaqësues të institucioneve kulturore në vend.
Kryeministri Rama në fjalën e tij iu referua rilindasit të madh Naim Frashëri dhe vargut të tij domethënës “ O dritëz e bekuar që lind nga perëndon” , varg që sipas Kryeministrit mishëron të tërë historinë e përpjekjes shumë shekullore të shqiptarëve për të qenë pjesë e asaj bote që ata e shihnin me sytë e imagjinatës së tyre apo e kërkonin duke kapërcyer detin. “Shprehja që shqiptarët përdoronin sa herë linin shtëpinë, ishte: po marr rrugën për në Evropë, në këtë shprehje përmblidhej ëndrra, shpresa dhe ambicia e çdo burri, babai, djali që linte shpinë duke marrë rrugën për në Evropë për të sjellë që andej atë çka shtëpia nuk mund dot ta kishte duke qëndruar e shkëputur prej andej”, nënvizoi kreu i qeverisë. Kryeministri Rama u ndal edhe tek reformat e rëndësishme që ka ndërmarrë vendi në rrugën e integrimit evropian, të cilat, vijoi ai, kaluan testin e Komisionit Evropian, i cili rekomandoi hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në fjalën e tij u ndal tek trashëgimia kulturore duke e cilësuar atë si pikënisje të rrugëtimit tonë evropian. Duke iu referuar ekspozitës me fotografi nga e kaluara e vendit, pjesë e fondit arkivor të muzeut Marubi, arkivit të shtetit dhe arkivit të MEPJ, Bushati u shpreh se këto janë të gjithë tregues të përpjekjeve tona për shtetformim dhe shtetndërtim.
Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi se Shqipëria e ka rigjetur rrugën e saj sërish drejt Evropës. Ministri Bushati solli në vëmendje faktin se lidhja jonë me Evropën është e kahershme, ku gjatë shekullit të 15-të paraardhësit tanë nga dëshmitarë u kthyen në protagonistë të historisë evropiane, duke luajtur një rol të pazëvendësueshëm për mbrojtjen e krishtërimit dhe vlerave evropiane. “Aleancat politike të Gjergj Kastriotit me fuqitë evropiane të kohës ishin shkëndija të shpirtit thellësisht evropian të shqiptarëve asokohe”, apo edhe kontributi i jashtëzakonshëm “ ku pena të shquara si Barleti, Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi dhe më vonë një plejadë e artë e inteligjencës shqiptare si De Rada, Naim Frashëri, Mjeda, Asdreni, Fishta e shumë të tjerë, u bazuan te vlerat e fryma e rilindjes evropiane për të projektuar modelin e shoqërisë së ardhshme shqiptare”.
Bushati e cilësoi të papërfunduar projektin evropian teksa një pjesë organike e tij, si Ballkani Perëndimor mbete ende jashtë. Megjithatë, ai vlerësoi këtë moment si një prag historik, atë të fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE.
Ministri Bushati tha se e kaluara sado e lavdishme të ketë qenë nuk përbën justifikim për tashmen ndaj dhe duhet ta meritojmë atë.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro theksoi se “Shqipëria përveçse e bekuar me bukuri natyrore, mbart edhe kulturë shekullore qytetërimi, e cila duhet promovuar, si mënyra më inteligjente për të kontribuar në mozaikun kulturor të BE.
Ndërsa Komisioneri Christian Danielsson, u shpreh i lumtur për pjesëmarrjen në aktivitetin e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare – si një kontribut në rrugën evropiane të Shqipërisë. Ai theksoi se Shqipëria ka një trashëgimi mahnitëse dhe të pasur në kulturë, si një aset i rëndësishëm në mbështetje të turizmit dhe rritjes ekonomike.