100 vite marrëdhënie miqësore Shqipëri-Japoni, Ministrja Xhaçka takon ambasadorin Mitsuyuki Takada

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në një takim kortezie Ambasadorin e Japonisë në Tiranë, Mitsuyuki Takada, me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve.
Japonia e njohu qeverinë shqiptare në vitin 1922 përmes shkëmbimit të Notave mes Ministrave të Jashtëm të asaj kohe. Kërkesa shqiptare për njohje nga Qeveria e Japonisë nënshkruar nga Ministri i Jashtëm Fan S. Noli, daton më 28 janar 1922, ndërsa përgjigja pozitive nënshkruar nga Ministri i Jashtëm i Perandorisë së Japonisë, Uchida Yasuya, mban datën 18 prill 1922.
Më 10 mars 1981, nënshkrimi i (ri)vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike dhe hapja e Ambasadës së Japonisë në Tiranë, më 1 janar 2017, sollën një epokë të re të marrëdhënieve dypalëshe. Gjatë viteve të fundit, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Japonisë po rriten në përputhje me vullnetin e dy anshëm për të forcuar miqësinë dhe ndërtuar sa më shumë ura komunikimi e bashkëpunimi.
Të dyja vendet gëzojnë një bashkëpunim mjaft të mirë dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare, përfshirë në OKB, ku Shqipëria shërben si vend anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023.
100 vjetori i marrëdhënieve të miqësisë shënon një moment simbolik për të festuar dhe rikonfirmuar miqësinë mes dy vendeve, si edhe angazhimin e ndërsjellë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në sferën dypalëshe dhe shumëpalëshe, në përballimin e sfidave së bashku si miq dhe aleatë që ndajnë të njëjtat vlera.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00