Koenders në Tiranë: forcohen lidhjet ekonomike midis dy vendeve

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati priti sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme, homologun e tij të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Bert Koenders. 

Ministrat Bushati dhe Koenders diskutuan mbi ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe mundësitë e forcimit dhe dinamizmit të mëtejshëm të tyre.

Ministri Bushati vlerësoi dedikimin e Holandës për mbarëvajtjen e reformave në vendin tonë dhe interesin e kompanive holandeze për Shqipërinë, çka i kanë renditur investimet holandeze  në vendin e dytë gjatë vitit të kaluar. 

Nisja e fluturimeve direkte Tiranë – Amsterdam më datë 10 maj do t’i shërbejë edhe më shumë forcimit të kontakteve mes dy vendeve, duke stimuluar në të njëjtën kohë interesin e kompanive dhe turistëve holandezë për Shqipërinë.  

Duke u ndalur tek rëndësia e avancimit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, Ministri Bushati shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për progres të mëtejshëm në zbatimin e reformës në drejtësi, në radhë të parë të procesit të Vettingut, si një reformë që do t’i shërbeje para së gjithash qytetarit shqiptar, por dhe si një kusht për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.

“Dëshiroj të falënderoj kolegun Koenders për qartësinë që ka dhe për rëndësinë që i ka dhënë konsolidimit të projektit europian në këtë kënd të Europës. Ndamë pikëpamjen se ulja në tryezën e bisedimeve për anëtarësim do të bëhet në momentin që do të kemi rezultate konkrete në reformën në drejtësi, siç është zbatimi i plote dhe progresi i mëtejshëm në procesin e Vettingut” theksoi Ministri Bushati. 

Duke vlerësuar progresin e bërë dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e reformave, Ministri Koenders garantoi se Holanda do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

Gjatë konferencës për shtyp Ministri Koenders u shpreh se: “Holanda ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë dhe më tej Shqipërinë në rrugëtimin e saj, ku dëshiroj të vlerësoj progresin e bërë deri tani në këtë drejtim. Ndryshimet kushtetuese që janë miratuar me unanimitet nga parlamenti shqiptar duhet tashmë të shohin dritën e zbatimit të plotë, pasi edhe qytetarët shqiptarë dëshirojnë zbatimin e reformës në drejtësi”.

Dy ministrat biseduan gjithashtu mbi zhvillimet e fundit dhe sfidat e bashkëpunimit në rajon, si dhe nevojën për një vëmendje të shtuar të BE-së në mënyrë që integrimi në BE të vijojë të jetë një forcë shtytëse për shoqëritë tona drejt një të ardhmeje të begatë

Postal Address

Mission of Albania
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

OPENING TIMES

Monday to Friday
09:00 - 17:00